

Ditën e premte, më datë 15.05.2026, Qendra Minber organizoi Mexhlisin e radhës me të ftuar dr. Justinian Topullin. Tema e përzgjedhur për trajtim titullohej “Ndërtimi i një shoqërie të qëndrueshme islame”.
Pas 35 vitesh lirie besimi dhe aktiviteti fetar, ka ardhur koha që myslimanët të mendojnë jo vetëm në terma individualë, por edhe shoqërorë. Islami është fe shoqërore, program jete, si i tillë, ai duhet të jetë prezent në shoqëri. I zbrazur nga kjo, Islami humbet identitetin e tij, humbet forcën dhe moralin e tij. Kujtojmë këtu shprehjen lapidare të Umerit r.a. i cili thotë “Nuk ka islam pa xhemat, pa organizim”.
Në këtë kuadër, dr. Justinian Topulli sintetizoi në disa pika themelore ngritjen e një shoqërie islame të qëndrueshme. Pikë së pari, ne kemi nevojë për kohezion social ose solidaritet. Pa këtë e kemi shumë të vështirë që të funksionojmë si bashkësi apo si shoqëri.
Së dyti, është domosdoshmëri ngritja e institucioneve, ose funksionimi i tyre. Vetëm përmes institucioneve garantohet vazhdimësia e punëve.
Së treti, nevojitet drejtësi. Drejtësia është prej ligjësive të Allahut në këtë botë. Le të ndërmendin parimin e famshëm politik të Ibn Tejmijes (Allahu e mëshiroftë) i cili thotë “Allahu i jep bereqet një sunduesi të drejtë edhe nëse është jobesimtar, dhe nuk i jep një sunduesi të padrejtë qoftë ky edhe besimtar”.
Pika e katërt është ekonomia. Krijimi i institucioneve të vakëfit që do të mundësojnë të ardhura të vazhdueshme për mbështetjen e davetit në të gjitha fushat.
Së pesti, nevojitet dije. Bashkësia islame duhet të prodhojë dije. Ajo duhet të shndërrohet në referencë të dijes, jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët.
Së gjashti, integrimi. Bashkësia islame nuk duhet të jetë e mbyllur brenda një klani. Ajo duhet t’i përfshijë të gjithë brenda saj. Të gjithë duhet të ndjejnë se i përkasin asaj. Ndryshe thënë, ajo duhet të përqafojë një botëkuptim universal.
Së shtati, është mbrojtja. Çdo shoqëri ose bashkësi ka armiq, andaj është e domosdoshme mbrojtja.
Dhe së fundmi përshtatja. Shoqëria islame duhet të dijë të përshtatet. Rrethanat e reja imponojnë lexime te reja. Shoqëritë që refuzojnë ndërveprimin me realitetet e kohës, vdesin.