Qendra MINBER

Shpërndaj:

Ditën e mërkurë, më datë 14/10/2026, Qendra Minber organizoi takimin e radhës në kuadër të Mexhlis në Minber. I ftuar për të trajtuar temën “Sakralizimi i politikës: Paradigma e besimit në shtetin modern” ishte studiuesi Doan Dani.
Në fjalën e tij, dr. Dani u ndal fillimisht tek ideja e sakralizimit të politikës. Sipas tij, ky fenomen është krejtësisht modern, i pa hasur në shoqërinë paramoderne. Sigurisht, marrëdhëniet mes fesë dhe politikës janë të vjetra sa vetë njerëzimi, por, kjo marrëdhënie shfaqet në terma përdorimi. Përgjithësisht kemi të bëjmë me përdorimin e fesë nga politika, ose me fetarizimin e politikës, si në rastin e teokracisë. Ama fenomeni i sakralizimit zor se vërehet. Ai shfaqet në shekullin e 18-të, me ngritjen e Iluminizmit, ose më saktë, në shekullin e Iluminizmit. Në këtë periudhë vërehet qartësisht sakralizimi i politikës, pasi misioni i fesë i kalon asaj. Tashmë, rolin e fesë e merr politika. Bash në këtë periudhë, vërejmë edhe shfaqjen e feve civile, të cilat kryejnë funksionin e fesë, por janë të zbrazura nga përmbajtja e saj. Sipas ideatorit të fesë civile, Jean Jacques Rusoit, nuk mund të ketë shoqëri pa fe, pa besim. Kësisoj, ne kemi nevojë për funksionin e fesë, por jo për përmbajtjen e saj.
Durkheimi, në vazhdën e idesë së Rusoit, i shton një përmasë tjetër fesë civile. Tashmë, transhendenca është e pavlerë. Për organizmin e shoqërisë, mjafton edhe një entitet imanent, si p.sh. partia, atdheu ose kombi etj. Transhendenca, e cila është thelbi i fesë së shpallur, dëbohet nga politika, tash e tutje, shenjtëria politizohet. Kësodore, feja civile, ose politika e sakralizuar, shndërrohet në organizatoren dhe përkufizuesen e çdo gjëje. Për përmbushjen e misionit të saj, feja civile përcakton dogmat themelore. Në këtë kontekst, për të përmbyllur krejt sipërmarrjen sakralizuese, Rusoi përkufizon 6 dogmat e fesë civile.
1. Entiteti suprem
2. Jeta e ardhshme (jo domosdoshmërisht e përtejme)
3. Shpërblimi i të mirës
4. Ndëshkimi i shkeljes, transgresionit
5. Shenjteria e ligjeve dhe e kontrates sociale
6. Intoleranca (ndaj atyre që dalin kundër ligjeve dhe kontratës)

Artikuj të ngjashëm