

Seminaret Ndërkombëtare Verore të Maveraunnehir V
– ta bëjmë lumin të rrjedhë përsëri –
Qendra për Hulumtime, MINBER, në kuadër të bashkëpunimit me Institutin e Studimeve Islame (İDE), merr pjesë për të dytin vit rradhazi në “Seminaret Ndërkombëtare Verore të Maveraunnehir”.
Edicioni i pestë i “Seminareve Ndërkombëtare Verore të Maveraunnehir-it, me tematikë qendrore ‘Të bëjmë lumin të rrjedhë përsëri’, i organizuar nga Instituti i Mendimit Islam (İDE) në Ankara, përmbylli me sukses punimet e tij duke bërë bashkë studiues e kërkues shkencorë nga shtete të ndryshme të gjeografisë sonë shpirtërore. Programi, i konceptuar si një platformë për rigjallërimin e urave shkencore, shpirtërore dhe intelektuale, u zhvillua në Ankara dhe Stamboll. Si pjesë e tij përfshiheshin edhe vizita akademike e kulturore në qendra me peshë historike si Konja dhe Bursa.
Kjo seri seminaresh është një platformë akademike ndërkombëtare e cila e trajton rajonin e Azisë Qendrore (Transoksiana, Turkistani) jo thjesht si një term gjeografik, por si një pellg të shkencës, urtësisë dhe dijes, ku gërshetohen filozofia, fikhu, kelami, usuli, hadithi, astronomia dhe matematika. Programi, i cili fillimisht i drejtohej vetëm rajonit të Azisë Qendrore (Turkistanit), më vonë u zgjerua edhe drejt Ballkanit.
Qëllimi kryesor i kësaj platforme shkencore është të kuptuarit e thellë të trashëgimisë së përbashkët shkencore të qytetërimit islam dhe ndërtimi i urave të mirëfillta të qytetërimit me traditën islame të Azisë Lindore dhe Azisë Qendrore, pa mbetur peng i koncepteve perëndimore.
Në programin e këtij viti morën pjesë rreth 30 studiues dhe akademikë të shquar nga 10 vende të ndryshme, ku përfshihen Uzbekistani, Kazakistani, Kirgizistani, Azerbajxhani, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Tataristani, Bullgaria, Shqipëria dhe Kosova.
Programi, i cili u realizua nga data 14 Korrik – deri më 3 Gusht 2026, ishte i strukturuar në format leksionesh. Përmes temave të trajtuara nga akademikë të shquar Turq dhe më gjerë, synohej të hidhej dritë mbi horizonte të reja kuptimore. Në këtë kontekst, vlen të përmendin disa prej temave të trajtuara.
- Kërkimi i zgjidhjeve për krizat universale: Në këtë seancë ku u mirëpritën emra si Prof. Dr. Jonathan A. C. Broën, pedagog në Universitetin Georgetoën, qytetërimi islam u trajtua jo si një e kaluar statike, por si një “laborator gjigant përvoje” dhe një “minierë e pasur” që ofron zgjidhje për krizat ontologjike të epokës së inteligjencës artificiale.
- Azia Lindore dhe trashëgimia shpirtërore: Në kuadër të programit u ekzaminuan tema si “Formimi i traditës islame në Azinë Lindore”, si dhe u zhvilluan biseda të dobishme me figura si Prof. Dr. Ümit Meriç mbi ndërtimin e bibliotekave të qytetërimit dhe irfanit.
- Vizitat akademike dhe kulturore: Përveç leksioneve teorike, delegacioni i akademikëve vizitoi fakultete të ndryshme të teologjisë dhe vende historike në Turqi, duke bërë konsultime për bashkëpunime institucionale.
Në fjalimin e tij përmbyllës, Kryetari i İDE-së, Prof. Dr. Mehmet Görmez, rikujtoi se Turqia ka qenë qendra e përbashkët e shkencës dhe urtësisë së qytetërimit islam përgjatë shekujve. Görmez vuri në dukje se synimi kryesor i programit ishte pajisja e pjesëmarrësve me një horizont universal që bashkon arsyen me shpalljen, shkencën me urtësinë.
Duke dhënë si sihariq se Universiteti Ndërkombëtar Islam i Shkencës dhe Teknologjisë në Stamboll, punimet për konsolidimin e të cilit vazhdojnë, do të jetë qendra e përbashkët shkencore e këtyre vendeve në të ardhmen; Görmez shprehu falënderimet e tij për përgjegjësin e programit, Prof. Dr. Bünyamin Erul dhe ekipin e tij. Seminaret përfunduan zyrtarisht me shpërndarjen e certifikatave për studiuesit pjesëmarrës.