Qendra MINBER

Shpërndaj:

 

Ditën e hënë, më datën 23/06/2026, Qendra Minber organizoi takimin e radhës në kuadër të Mexhlis në Minber. I ftuar për të trajtuar temën “Besimi fetar si mburojë e kombësisë Shqiptare” ishte dr. Ardian Muhaj.

Në vazhdën e temës dr. Muhaj u ndal më së pari tek ideja mbizotëruese e historiografisë komuniste, e cila e shihte besimin fetar si reaksionar, përçarës. Përkundër kësaj teze, besimi fetar tek shqiptarët jo vetëm që nuk shërbeu si element përçarës, por ishte një ndër elementët kyç në ngjizjen e kombësisë shqiptare. Pse? Një ndër arsyet themelore për këtë lidhet me natyrën e feve në Shqipëri. Gjatë periudhës së pavarësisë, por edhe më vonë, në Shqipëri kanë ekzistuar tre fe, të cilat për nga natyra janë monoteiste dhe universaliste. Bash këto dy elemente bënë që fetë në Shqipëri të mos ishin të lidhura specifikisht me një kombësi të caktuar. Kësisoj, shqiptarët etnikë, pavarësisht fesë së tyre, ishin të detyruar që të formonin kombin Shqiptar.
Në këtë kontekst, një rol qëndror luajti edhe botëkuptimi i rilindasve, të cilët nuk bazoheshin në pikëpamje egocentrike. Ata ishin të hapur për të komunikuar me të gjitha grupet e shoqërisë, qofshin muslimanë, katolikë apo ortodoksë. Monoteizmi dhe universalizmi i feve ishin një ndihmesë e fortë në këtë drejtim.
Kuptohet, një rol shumë të rëndësishëm në komunikimin “altruist”, luajti shumica muslimane. Ishte kjo shumicë fetare ajo që kishte interesin më të madh për krijimin e kombit shqiptar. Andaj, ishte po kjo shumicë e cila u tregua e gatshme që të bashkëpunojë me të gjitha grupet e tjera.
Kësodore, kur mungon komunikimi mes grupeve të shoqërisë (gjë që është e domosdoshme), ajo që humbet më së shumti është shumica. Projekti i kombësisë shqiptare është hartuar mbi baza altruiste dhe jo egocentrike. Ai e ka të domosdoshëm komunikimin e vazhueshëm mes grupeve, në të kundërt, jo vetëm shumica, por e gjithë shoqëria është e destinuar të dëmtohet.

Artikuj të ngjashëm