Sapo doli nga botimi libri i Drejtorit të Qendrës për Hulumtime Minber, dr. Ferid Piku. Ky libër paraqet një studim të mirëfilltë dhe të detajuar lidhur me kontributin e dijetarëve shqiptarë në fushën e shkencave Kuranore gjatë periudhës Osmane. Libri titullohet “Kontributi i autorëve shqiptarë në fushën e shkencave Kuranore gjatë periudhës Osmane”. Fokusi kryesor i tij janë punimet e autorëve shqiptarë të cilët jetuan dhe punuan në kuadër të Perandorisë Osmane. Nevoja për ta njohur objektivisht këtë periudhë dhe autorët me origjinë shqiptare, është e një rëndësie jetike, sepse kjo periudhë përbën një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë. Anashkalimi ose qëndrimi subjektiv kundrejt kësaj periudhe rrezikon të zhbëjë një pjesë shumë të rëndësishme të historisë sonë. Ne kemi qenë pjesë integrale e perandorisë osmane, çka vërtetohet përmes preyencës masive të shqiptarëve në një sërë fushash dhe disiplinash shkencore. Në këtë kuadër, ky libër jep një kontribut të domosdoshëm në leximin e drejtë dhe objektiv të historisë sonë. Pa këtë gjë, historia e kësaj periudhe ka për të mbetur peng i leximeve ideologjike, të frymëzuara nga interesat momentale.