Qendra MINBER

Shpërndaj:

 

Ditën e premte, më datë 10/07/2026, Drejtori i Qendrës Minber dr. Ferid Piku, me ftesën e Myftinisë Shkodër, mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar në oborrin e Xhamisë së Plumbit.
Aktiviteti u hap me një përshëndetje të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili bëri një analizë të veprës së dr. Ferid Pikut, duke nxjerrë në pah kontributin e tij të madh në studimin e trashëgimisë së pasur osmane dhe gjurmët e dijetarëve shqiptarë gjatë kësaj periudhe.
“Meqenëse personalisht e njoh mirë angazhimin dhe lodhjen e autorit për të na sjellë vepra të këtij lloji, nuk e teproj aspak, kur them me të madhe se është mirësi e Zotit, që në mesin tonë kemi studiues të këtij kalibri, që jetën ia kanë kushtuar angazhimit për të nxjerrë në pah të vërteta të mëdha nga një histori e pasur, e cila paradoksalisht tek ne njihet shumë pak” u shpreh ndër të tjera z. Sytari.
Fokusi i këtij takimi takimi lidhej me diskutimin mbi librin “Kontributi i autorëve Shqiptarë në Fushën e Shkencave Kuranore gjatë Periudhës Osmane” me autor dr. Ferid Piku. Në fjalën e tij, dr. Piku u përqëndrua tek kontributi i autorëve shqiptarë, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ata kanë luajtur në këtë drejtim. Përkundër idesë se shqiptarët nuk kanë dhënë kontribut në lëmitë e dijes apo në fushën e ekzegjezës kuranore, ky punim nënvizon se autorët shqiptarë kanë qenë ndër figurat më të spikatura dhe më kontribuese. Në mbështetje të kësaj teze janë autorët e shumtë që janë përmendur në libër. Kësisoj, ky libër përfaqëson një studim shumë të rëndësishëm lidhur me kontributin e autorëve shqiptarë. Ai është një gurthemeli për studiuesit dhe studimet e reja në këtë fushë. Arkivat osmane janë plot me dokumenta që dëshmojnë rolin dhe kontributin e autorëve shqiptarë në këto disiplina, andaj, në këtë kontekst, ky punim nuk është shterues, por më tepër një çelës për hapjen e siparit të studimeve të reja.

Artikuj të ngjashëm