Drejtori i Qendrës Minber dr. Ferid Piku i dha një intervistë për Revistën Kuvajtiane gazetarit Hany Salah
Më poshtë po paraqesim të plotë materialin e intervistës
Në një vend që ka dalë nga kthetrat e një regjimi totalitar, i cili për dekada me radhë punoi për të çrrënjosur burimet e fesë dhe për të shtrembëruar imazhin e saj, rikthimi i diskursit fetar nuk është thjesht çështje e rikthimit të riteve, por një betejë për vetëdijen, dijen dhe metodologjinë.
Brenda këtij konteksti të ndërlikuar shfaqet dr. Ferid Piku – drejtor i Qendrës “Minber” për Kërkime dhe Hulumtime – si një prej bijve të brezit që kaloi nga zbrazëtia e besimit drejt organizimit shkencor të vetëdijshëm dhe nga përpjekja individuale drejt projektit institucional të organizuar.
Në këtë intervistë, dhënë për revistën “El-Muxhtemea”, dr. Piku ofron një perspektivë mbi realitetin e diskursit fetar në Shqipëri, zbulon sfondin e themelimit të Qendrës “Minber”, sfidat e punës kërkimore në një shoqëri shumëfetare, si dhe sfidat e ndërtimit të një diskursi fetar të moderuar, i aftë t’i drejtohet gjithë shoqërisë përmes gjuhës së dijes dhe përgjegjësisë.
Na lejoni të prezantojmë mysafirin tonë të nderuar. Dr. Piku na flisni pak për rrugëtimin tuaj shkencor dhe intelektual?
– Quhem Ferid Piku, kam lindur më 14 tetor 1975 në Shqipëri, në qarkun e Dibrës. Arsimin e përgjithshëm e kam marrë gjatë kohës së regjimit komunist, ndërsa me rënien e tij në vitet ’90 të shekullit të kaluar, m’u dha mundësia të njihem me fenë. Nisur nga kjo, zgjodha studimin e Islamit si pjesë e brezit të parë të të rinjve fetarë të asaj periudhe.
Studimet i fillova në Shqipëri, më pas i vazhdova në Egjipt dhe Jemen, ku edhe përfundova studimet universitare dhe masterin. Në Stamboll kam kryer studimet doktorale. Që nga viti 2002, jam i angazhuar në mbajtjen e ligjëratave në xhami, komunikimin me të rinjtë dhe komunitetet në mërgatë, si dhe në shkrime dhe pjesëmarrje në konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Cilat janë përvojat kryesore që kanë formësuar vizionin tuaj për dijen, fenë dhe rolin e studiuesit?
– Propaganda e regjimit komunist kundrejt fesë, shërbeu si shtysë për mua që të thellohesha në studimin e Islamit si fe e arsyes, argumentit dhe ekuilibrit. Prej këtu nisi interesimi im për mrekullitë kuranore e profetike dhe lidhjen e tyre me shkencën dhe përparimin, si dhe përpjekja për të korrigjuar stereotipin dhe imazhin e njeriut fetar, përmes bashkimit të dijeve fetare me njohuritë humane. Me kalimin e kohës, kjo dëshmoi se përkushtimi fetar nuk bie ndesh me shkencën dhe jetën, por, përkundrazi, i pasuron ato.
Kur e kuptuat se puna institucionale në fushën e diskursit fetar, ishte bërë domosdoshëmri?
– Bindja ime për këtë u kristalizua nga besimi se ndërtimi nis individualisht, por organizimi dhe ndikimi real i tij arrihen vetëm përmes punës kolektive. Kështu, u shfaq nevoja për organizimin e aktiviteteve dhe shërbimeve më orientim shoqëror, përfshirë edhe diskursin fetar dhe kërkimin shkencor.
Mendoj se predikuesit, qendrat kërkimore dhe institucionet fetare duhet të rrënjosin kulturën e bashkëpunimit dhe të ndërtojnë platforma të përbashkëta që trajtojnë çështjet e gjithë shoqërisë, jo vetëm ato të besimtarëve të tyre, sepse vetëm e mira e organizuar është në gjendje t’u bëjë ballë sfidave.
Si lindi ideja e Qendrës “Minber” dhe pse themelimi i saj ishte i domosdoshëm?
– Angazhimi intelektual dhe puna kërkimore janë tregues të pjekurisë dhe gatishëmërisë së çdo komuniteti për të qenë faktor aktiv në trajtimin e problemeve shoqërore. Nga kjo vetëdije lindi ideja e Qendrës “Minber”, me synimin për të kontribuar në orientimin e diskursit fetar publik, trajtimin e çështjeve shoqërore dhe ofrimin e zgjidhjeve të bazuara në mësimet kuranore dhe profetike.
Një nga motivet kryesore të themelimit ishte edhe ekzistenca e asaj që unë e shoh si pikë të dobët te myslimanët e Shqipërisë: pavarësisht se kanë kaluar shumë vite nga rikthimi i lirisë fetare dhe pavarësisht se ekzistojnë kuadro akademikë të spikatur, institucionet kërkimore të specializuara mbeten të pakta, gjë që reflektohet qartë edhe në nivelin e diskursit fetar publik.
Cilat janë sfidat kryesore të diskursit fetar dhe mendimit islam në Shqipëri?
– Sfidat janë të shumta dhe ne nuk pretendojmë se ofrojmë zgjidhje për të gjitha, por disa çështje janë bërë urgjente. Në krye të tyre qëndron dobësia e diskursit fetar, pasi sot predikuesi nuk i drejtohet vetëm xhematit të xhamisë, por një publiku më të gjerë, veçanërisht në një shoqëri shumëfetare si ajo e Ballkanit. Kjo kërkon vetëdije më të thellë për kontekstet historike, identitetin kombëtar, si dhe dimensionet shoqërore dhe psikologjike. Në këtë kuadër, qendra organizon trajnime periodike për orientimin e drejtë të këtyre aspekteve.
Si e përcakton Qendra “Minber” misionin dhe metodologjinë e saj shkencore?
– Misioni i qendrës është orientimi dhe përmirësimi i diskursit fetar përmes trajnimit, studimeve historike dhe shoqërore, ndërtimit të urave të komunikimit mes predikuesve dhe specialistëve të fushave të tjera, si dhe përmes komunikimit të vazhdueshëm me publikun, nëpërmjet konferencave, programeve mediatike, podkasteve dhe pjesëmarrjes në media.
Filozofia jonë mbështetet në bindjen se mesazhi fetar u drejtohet të gjithë anëtarëve të shoqërisë, si një diskurs i moderuar dhe fleksibël, që nuk kufizohet vetëm në aspektin doktrinor, por ofron zgjidhje praktike për fusha të ndryshme të jetës, duke respektuar veçoritë e realitetit lokal.
Cilat janë programet kryesore të qendrës për zhvillimin e diskursit fetar?
– Aktivitetet e qendrës synojnë të arrijnë një ekuilibër adekuat ndërmjet interesave të publikut dhe formulimit akademik serioz, duke trajtuar çështjet që preokupojnë shoqërinë me një gjuhë që i drejtohet arsyes dhe logjikës, pa u kufizuar vetëm tek aspekti emocional.
Në këtë kuadër, qendra organizon konferenca dhe seminare shkencore, boton artikuj dhe libra, realizon studime dhe kërkime fetare e historike, duke ruajtur standardet akademike dhe seriozitetin shkencor. Qendra i prezanton këto aktivitete përmes rrjeteve sociale me metoda bashkëkohore
Si arrin qendra të balancojë ndërmjet veçorisë shqiptare dhe çështjeve të përgjithshme islame?
– Periudha pas komunizmit u shoqërua me përkthime të shumta të librave islamë në gjuhën shqipe, por kjo solli deri diku edhe një neglizhencë relative ndaj veçorisë shqiptare dhe trashëgimisë së dijetarëve tanë. Prandaj, qendra përqendrohet në ringjalljen e kësaj trashëgimie dhe ndriçimin e historisë sonë fetare dhe shkencore, për të ndërtuar një diskurs fetar të ekuilibruar, të orientuar lokalisht, por edhe të hapur e me vetëdije ndaj dimensioneve rajonale dhe ndërkombëtare.
Cila është filozofia juaj në përgatitjen shkencore, metodologjike dhe etike të studiuesit fetar?
– Pavarësisht ekzistencës së kuadrove të kualifikuar, kultura akademike institucionale mbetet ende e dobët. Për këtë arsye, ne përqendrohemi në konsolidimin e studimeve serioze akademike, mbështetjen e kapaciteteve ekzistuese dhe hapjen e rrugës për kuadrot e rinj, duke inkurajuar specializimin e thellë, veçanërisht në studimet historike, shoqërore dhe psikologjike të lidhura me realitetin e shoqërisë sonë.
Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballeni në punën kërkimore dhe institucionale?
– Ndër sfidat më të mëdha është interesimi i ulët shoqëror për studimet e thelluara, veçanërisht në kushtet e dominimit të rrjeteve sociale që priren drejt mesazheve të shkurtra dhe të shpejta. Po ashtu, mungesa e financimit përbën një pengesë reale për vazhdimësinë e punës kërkimore, duke shtyrë disa kuadro shkencorë drejt emigrimit ose largimit nga fusha akademike.
Si i trajtoni ndjeshmëritë e disa çështjeve fetare dhe intelektuale në kushtet e polarizimit?
– Në këtë drejtim frymëzohemi nga përvojat e dijetarëve të mëdhenj, të cilët kanë marrë parasysh veçoritë e mjediseve dhe konteksteve të ndryshme. Në kushtet e polarizimit aktual, besojmë se diskursi fetar kërkon kujdes të lartë dhe kuptim të thellë të realitetit shoqëror dhe kulturor, me qëllim që çështjet e ndjeshme të trajtohen me vetëdije dhe përgjegjësi.
Si ndikon mungesa e kulturës kërkimore dhe burimeve të pakta në qendrat e studimeve fetare?
– Kjo ndikon ndjeshëm në performancën dhe vazhdimësinë e qendrave të studimeve fetare, kështu që kjo gjë, nuk mund të kapërcehet pa forcimin e kulturës së kërkimit shkencor, sigurimin e mbështetjes financiare të mjaftueshme dhe inkurajimin e të rinjve të talentuar për të ndërtuar një rrugëtim të qëndrueshëm kërkimor.
Cilat janë arritjet tuaja më të spikatura?
– Pavarësisht se qendra nuk ka shumë përvojë, ajo ka filluar gradualisht të konsolidojë praninë e saj si një referencë e besueshme në fushën e mendimit fetar dhe studimeve shkencore, duke qenë e vetëdijshme për domosdoshmërinë e zgjerimit dhe zhvillimit.
Anketat dhe vëzhgimet në terren kanë treguar një rritje të dukshme të interesimit për programet e qendrës, rritje të nivelit të ndërveprimit me to, si dhe pritshmëri pozitive për aktivitetet dhe perspektivat e saj të ardhshme.
Cili është vizioni juaj për të ardhmen?
– Me ndihmën e Allahut, synojmë që qendrën ta zhvillojmë e ta kthejmë në një referencë të qëndrueshme intelektuale dhe akademike, që përfshin departamente të specializuara, institut trajnimi dhe një akademi të dedikuar për përgatitjen e kuadrove të rinj në fushat e studimeve fetare dhe shoqërore.
Synojmë që qendra të jetë një hapësirë besimi dhe bashkëpunimi, që rrit nivelin e vetëdijes fetare e njerëzore dhe kontribuon për bashkimin e shoqërisë, jo përçarjen e saj. Ashtu sikurse “minberi” i xhamisë, i cili me anë të fjalëve të mençura i bashkon njerëzit, ne synojmë që të lartësojmë vetëdijen dhe t’i shërbejmë shoqërisë në tërësi.
Në këtë kuadër, partneritetet shkencore zënë një vend qendror në vizionin tonë të ardhshëm, për shkak të rolit të tyre të madh në forcimin e komunikimit akademik, ndërtimin e urave kërkimore të përbashkëta dhe shkëmbimin e përvojave dhe njohurive.
Në të njëjtin kontekst, theksojmë rëndësinë e mbështetjes së kërkimit shkencor, përgatitjes së kuadrove dhe zhvillimit të metodave të diskursit fetar, në mënyrë që ai të ecë në të njëjtin hap me transformimet e shpejta shoqërore dhe të forcojë aftësinë për t’u përballur me sfidat e kohës.
Intervistoi: Hany Salah
Linku në origjinal