Ditën e shtunë më datë 20.12.2025, Qendra Minber organizoi aktivitetin e radhës në kuadër të Mexhliseve Minber. I ftuar për të trajtuar temën “Zhvillimi I Mendimit Kritik në Epokën Digjitale: Një perspektivë Islame” ishte dr. Blendi Shima. Në parashtrimin e tij, dr. Blendi Shima theksoi rolin e madh që mendimi kritik ka në epokën aktuale. Teza themelore e kumtesës konsistonte në prezantimin e termave Kuranorë rreth mendimit, meditimit dhe arsyetimit. Referuar perspektivës islame dr. Shima nënvizoi se Islami vazhdimisht e fton njeriun drejt mendimit dhe arsyetimit të thellë. Kësisoj, Islami paraqet një platformë shumë të rëndësishme për themelimin e parametrave të mendimit kritik. Në këtë kontekst, prof. Blendi Shima foli për pazëvëndësueshmërinë e mendimit kritik përballë teknologjisë, jetës sociale dhe punës, duke përmendur edhe statistika ndërkombëtare që e mbështesin një gjë të tillë. Sakaq, ai u ndal edhe tek efikasiteti I metodave klasike të të mësuarit, si dhe sfidat e ndeshura përballë platformave dhe rrjeteve sociale.