Qendra MINBER organizon seminarin me temën: “Islami, Ftesë, Urtësi dhe Unitet”, me prezencën e ish Kryetarit të çështjeve fetare në Turqi Prof. Dr. Mehmet GÖRMEZ.
Në fjalën e hapjes dhe mirëseardhjes Drejtori i Qendrës MINBER, Dr. Ferid PIKU, falenderoi Prof. Mehmet GÖRMEZ për pranimin e ftesës dhe vlerësoi prezencën e hoxhallarëve dhe intelektualëve të ndryshëm. Ai gjithashtu vlerësoi dhe falenderoi për pjesëmarrjen e tij Myftiun e Tiranës, H. Bilal TEQJA, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në këtë seminar.
Myftiu i Tiranës, H. Bilal TEQJA, në fjalën e tij theksoi nevojën e madhe për të kuptuar situatat dhe kohët që po kalojmë, duke u fokusuar veçanërisht në rëndësinë e ftesës islame. Ai gjithashtu falenderoi Qendrën MINBER për organizimin e këtij seminari dhe për sjelljen në Shqipëri të një figure me vlera të larta intelektuale si Prof. Mehmet GÖRMEZ.
Ndërsa në fjalën e tij, Prof. Dr. Mehmet GÖRMEZ theksoi rëndësinë e mënyrës se si perceptojmë dhe gjykojmë vendet dhe popujt, duke argumentuar se shpesh i shohim ato nga një këndvështrim politik, ekonomik, ose etnik, që kufizon horizontin dhe krijon ndarje. Ai sugjeroi që duhet të bazojmë gjykimet tona mbi vlera si besimi, morali, drejtësia dhe mëshira, duke theksuar se gjeografia shpirtërore dhe vlerat janë ato që duhet të na bashkojnë, jo kufizimet fizike.
GÖRMEZ gjithashtu diskutoi për paqartësitë që rinia përjeton në lidhje me konceptet si feja dhe njerëzimi, feja dhe jeta e kësaj bote, feja dhe mendja, feja dhe shkenca, feja dhe morali, feja dhe politika, feja dhe kultura. Ai theksoi se Islami është një fe që përputhet me natyrën e njeriut dhe vlerëson jetën, duke kundërshtuar sekularizmin dhe duke promovuar moralin si pjesë të thelbit të fesë.
Në fund, ai theksoi rëndësinë e cilësisë dhe vlerave në ftesën për Islam, duke theksuar se ftuesi duhet të jetë i dijshëm dhe i urtë, dhe se thirrja për në Islam duhet të fokusohet në mësim, udhëzim dhe pastrim shpirtëror.



